Vjen lajmi i madh, Premier League deri në vitin 2022 në Digitalb e SuperSport
Ai është kampionati më i fortë në botë, liga e vendit ku lindi futbolli, kampionati i “yjeve” dhe emrave legjendarë dhe ai është i SuperSportit edhe për 3 vitet e ardhshme. Digitalb dhe SuperSport me krenari ju prezantojnë Premier League-n si ekskluzivitetin e tyre në Shqipëri e Kosovë, e madje në një tjetër dimension, tanimë për publikun që aq shumë e kishte kërkuar e pritur. Jo më dy, por katër ndeshje çdo fundjavë në Shqipëri, një intensitet ritmi si ai i ndeshjeve të Premier, për t’ju dhuruar çdo javë katër superpërballje.
Jeni tifozë me Manchester United, Liverpoolin, City-n, Chelsea-n apo Arsenalin, pak rëndësi ka, çdo javë ekipi juaj i zemrës luan në SuperSport, mund ta ndiqni në komentin më profesional që ekziston në Shqipëri, shoqëruar nga analiza, komente e informacione të panumërta në emisionet e SuperSport, ndërkohë që për Supersport Kosova, Premier League bëhet një ekskluzivitet i jashtëzakonshëm, me publikun e Kosovës që do të mund të shijojë ndeshje çdo fundjavë nga liga elitare e futbollit anglez.
Digitalb dhe SuperSport ka nënshkruar kontratën zyrtare për 3 vitet e ardhshme, duke e siguruar kampionatin anglez deri në vitin 2022, një lajm i mrekullueshëm ky për të gjithë abonentët e platformës më të dashur të të gjithë shqiptarëve, që pikërisht nisur nga interesimi i tyre dhe kërkesat e njëpasnjëshme ka bërë një sforco të jashtëzakonshme ekonomike, për t’iu gjendur pranë shikuesve të saj, që një vend në radhën e parë të impianteve legjendare si “Anfield, Old Traford apo Stamford Bridge” tani e kanë të garantuar në shtëpinë e tyre nëpërmjet Digitalb dhe SuperSport, platformës më të dashur të të gjithë shqiptarëve.




