Teuta – Vllaznia, çfarë dueli projektohet për mbijetesën!
Vllaznia 9 herë kampione e Shqipërisë dhe 6 herë fituese e Kupës, Teuta një herë kampione dhe 3 trofe në Kupën e Shqipërisë. Nëse do t’i shikonte dikush që nuk do kishte informacion rreth këtij edicioni të Superiores, do mendonte që këto dy skuadra do të ishin “dhëmb për dhëmb” në luftën për titull. Për fat të keq çmimi që kërkojnë të përfitojnë në fund të sezonit nuk është madhështia dhe trofeu i kampionit, por mbijetesa. Edicioni aktual ka rezultuar me mjaft luhatje për të dyja skuadrat, megjithatë në javët e fundit forca e karakterit dhe dëshira për të mos u mbajtur mend për dështimet kanë mbizotëruar si te shkodranët ashtu edhe tek durrsakët.
Në 6 takimet e fundit kuqeblutë kanë dorëzuar armët vetëm në një rast, më konkretisht në Kukës, ndërsa kanë ardhur 3 fitore dhe 2 barazime, ndërkohë “Djemtë e Detit” gjatë të njëjtës periudhë kanë pësuar të njëjtën kuotë humbjesh dhe në po të njëjtin stadium në “Zeqir Ymeri”, teksa kanë regjistruar 2 fitore dhe 3 barazime. Nëse kryhet një llogari e thjeshtë matematikore, Vllaznia ka grumbulluar në këto 6 javë 1/3 e pikëve të të gjithë sezonit dhe po ashtu edhe Teuta ka koleksionuar të njëjtën shifër. Nëse ecuria do të kishte qenë e tillë gjatë gjithë edicionit atëherë e sigurt është që dy nga emrat që kanë shkruar një pjesë të historisë së futbollit shqiptar nuk do të luftonin për “jetë a vdekje”. Përplasja direkte e javës së ardhshme në Durrës mund të përcaktojë se cila skuadër do t’i shpëtoj turpërimit dhe kush ekip do të përfshihet në botën e zymtë të një dështimi që asnjëherë nuk do të harrohet.



