Vllaznia e cunguar, sa shumë mugesa për Gjokën
Sikur të mos mjaftonte shqetësimi për renditjen, për Vllazninë parashikohen jo pak probleme dhe me formacionin për ndeshjen e kësaj fundjave me Skënderbeun. Përballë kryesuesve të kampionatit shkodranët për çështje kartonësh dhe jo vetëm do të kenë mungesa të rëndësishme, teksa katër titullarë nuk do të jenë të gatshëm për trajnerin Ernest Gjoka, në një sfidë delikate për qëndrimin në Superiore.
Mersini, Gocaj dhe Sukaj janë të pezulluar, ndërsa do të vazhdojë të mungojë dhe Renato Malota. Mungesat e Malotës, Gocajt dhe Mersinit, në mbrojtje janë pa dyshim dhe ato që shqetësojnë më tepër, pasi me praninë e tyre në këtë repart, Gjoka kishte krijuar një lloj stabiliteti, me Vllazninë që ofronte sigurinë në prapavijë, aq sa në katër ndeshjet e fundit kishte pësuar vetëm përballë Kukësit.
Ndërkohë që Sukaj, që u ndëshkua me të kuq në sfidën me verilindorët, gjithashtu mund të konsiderohet një mungesë e rëndësishme në fazën e sulmit, me Vllazninë që kishte filluar falë shkodranit të zgjidhte pak nga pak dhe problemet që ishin shfaqur në këtë repart. Tashmë për Gjokën nuk do të jetë një detyrë e lehtë që të zëvendësojë këto katër mungesa të rëndësishme, aq më tepër në një situatë kur te Vllaznia çdo ndeshje konsiderohet si një finale për vetë pozicionin e ekipit në renditje.



