Kategoria Superiore

Vllaznia nervoze, pak qetësi nuk do t’i bënte keq

Polemika për arbitrimin dhe akuza nga Vllaznia pas barazimit 1-1 me Partizanin. Në Shkodër nuk ka lënë shije të mirë gjykimi i kryesorit Florian Lata, duke patur në epiqendër episodin me Enea Bitrin që në minutën e 20-të, me një karton të verdhë mund të kishte marrë të dytin, duke lënë Partizanin me 10 lojtarë, në një moment që Vllaznia në avantazh 1-0 po dominonte në fushë.

Zhgënjim legjitim, për tifozët dhe Brdaric, me opinionin sportiv që u ka dhënë të drejtë kuqebluve në këtë aspekt, megjithatë harrohet diçka. Episodi i kartonit të dytë të verdhë për Bitrin, natyrisht që sipas të gjitha mundësive mund të kishte qenë momenti që do të kishte ndryshuar rrjedhën e ndeshjes, por nuk ishte episodi që prishi rrjedhën e ndeshjes për Vllazninë. Edhe 11 me 11, me Bitrin në fushë, shkodranët ishin superiorë dhe mund ta kishin fituar ndeshjen, por ekuilibrat ndryshuan krejtësisht me daljen me karton të kuq të Esin Hakajt, me shkodranët që, në inferioritet numerik, e patën të pamundur të mbronin avantazhin përballë një Partizani që bëri gjithçka për ta përmbysur ndeshjen.

Ishte një karton i kuq krejtësisht i evitueshëm, në mesin e fushës, pa një situatë kërcënuese loje, një duel i thjeshtë në anën e katërkëndëshit të blertë. Ka diçka që nuk shkon, pasi është kartoni i 6-të i kuq për Vllazninë këtë sezon, me keq se ta në këtë drejtim ka bërë vetëm Teuta. Shenjë e një nervozizmi që, në fakt, reflektohet edhe në stol, aty ku dhe Brdaric u shfaq mjaft reagues, duke u ndëshkuar me një karton të verdhë.

Ndoshta pak më tepër qetësi nuk do t’i bënte keq askujt, sidomos te Vllaznia, një skuadër me një ndjesi të veçantë emotioviteti dhe në lidhjen me tifozerinë. Fati i mirë është që Tirana u mund dhe madje tani kanë rikuperuar një pikë me kreun, ndoshta me nerva pak më të qeta, te Vllaznia mund të bëjnë shumë më mirë, pa u drejtuar gjithmonë nga arbitri.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency