Vllaznia, një luhatje që shërben për mësim!
Nga një fitore e bujshme në një disfatë të hidhur. Të humbasësh me Kukësin, një ndër skuadrat që shpreh futbollin më të mirë të kampionatit nuk është dramë, e megjithatë oshilacionet e Vllaznisë nuk mund të kalojnë pa rënë në sy. Në fakt shkodranët e patën mundësinë për ti ndryshuar rrjedhë sfidës, mund të kalonin në avantazh të parët me dy raste të pastra për Aralicën dhe Da Silvën që nuk u shfrytëzuan, por shpërdoruan dhe Kukësi ndëshkoi me atë perlë të Shqipërim Taipit, pas disa minutave ku kishte qenë Vllaznia skuadra më e rrezikshme në fushë.
Megjithatë këtë herë skuadra e Brdaric nuk arriti të dhuronte reagimin e herëve të tjera, mungesa e Krymit peshoi e po ashtu dhe taktika për t’ia besuar lojën topave të gjatë, Vllaznia e humbi ndeshjen në mesin e fushës, pikën më nevralgjike të lojës ku këtë herë mungoi ndërlidhja kompakte e reparteve.
Ndoshta edhe shkak i zgjedhjeve të Brdaric për një katërshe ofensive përpara që bën pak në aspektin mbrojtës, këto janë gjëra që ndodhin, dikush duhet të gabojë qofte edhe taktikisht që skuadra tjetër të fitojë, e megjithatë për Vllazninë më shqetësues do të ishte një faktor tjetër që mund të ketë ndikuar, vetëkënaqësia. Ndaj Kukësit nuk u pa i njëjti shpirt gare si ndaj Dinamos, e njëjta dëshirë për të sakrifikuar, padyshim dicka që mudn ta përcaktojë në analizën e tij vetë Brdaric me stafin teknik. Humbja e parë në fund të fundit, duhet të shërbejë edhe si mësim!



