Vllaznia për formalitet, por Flamurtari udhëton me ëndrra drejt Shkodrës
Vllaznia dhe Flamurtari do të luajnë aktin e dytë të çerekfinales së kthimit të Kupës së Shqipërisë, sfidë kjo që do të përcaktojë një nga katër gjysmëfinalistet e këtij edicioni. Shkodranët janë fituesit në fuqi të këtij kompeticioni e natyrisht synimi i tyre është që të ruajnë pelerinën që mbajnë veshur, por si fiillim u duhet që t’i bëjnë gjërat siç duhet ndaj Flamurtarit, që pavarësisht se angazhohet në kategorinë e dytë ka një ekip me kualitet dhe emra të njohur.
Suksesi i ndeshjes së parë (2-1) pa diskutim i bën favoritë kuqeblutë, që në anën tjetër duhet të lënë pas atë humbje të javës së 19-të në Abissnet Superiore ndaj Laçit. Pavarësisht humbjes, skuadra e Brdariç prodhoi shumë raste, duke konfirmuar se është një nga ekipet më të mira në këtë sezon. Faktori fushë, por dhe avantazhi i ndeshjes së pare, mund t’i krijojë komoditetin stafit që të bëjë disa ndyshime, për të aktivizuar disa nga lojtarët që kanë pasur më pak hapësira në kampionat.
Flamurtari, në anën tjetër, nuk ka çfarë të humbasë, teksa në kampionat po i bën gjërat siç duhet dhe nuk ka marrë ansjë humbje, e në Shkodër do të udhëtojë për të bërë surprizën, teksa edhe pse vjen nga një kategori inferiore, në ndeshjen e parë tregoi se mund t’i bëjë keq çdo kundërshtari, edhe kur bëhet fjalë për Vllazninë, që në organikën e saj ka kualitet. Fakti që goli në fushën kundërshtare nuk vlen u jep të drejtën vlonjatëve që të kërkojnë lavdinë.



