Vllaznia s’ka kohë “për të qarë”, e pret finalja tjetër me Luftëtarin
Disfata në “NIiko Dovana” kundër rivalëve të drejtpërdrejtë të Teutës natyrshëm qw ka ndikuar në moralin e Vllaznisë, por në Shkodër e kanë të qartë që asgjë nuk ka përfunduar dhe lufta vijon me një tjetër betejë të rëndësishme. Kuqeblutë do të duhet të mbledhin sa më shpejt “copëzat e thyera”, sepse të shtunën do të kenë finalen e radhës, kësaj here përballë Luftëtarit në “Loro Boriçi”.
Paraqitja ndaj Teutës duhet ndryshuar në themel, nuk ka shumë kohë deri në sfidën kundër gjirokastritëve, mospërsëritja e asaj performance është jetike, në të kundërt Vllaznia do të merrte një kthesë të parikuperueshme drejt Kategorisë së Parë. Në këtë çast vendimtar trajneri Gjoka ka nevojë për të gjithë dhe një ndër elementët e domosdoshëm për këtë ekip është Renato Malota.
Mbrojtësi lezhjan ka një përvojë për t’u vlerësuar në elitën e futbollit shqiptar dhe për fatin e mirë të kuqebluve i ka zgjidhur problemet me drejtësinë. 28-vjeçari me shumë mundësi do ta nisë nga minuta e parë takimin kundër jugorëve të Likës. Shkodra ka më shumë nevojë se asnjëherë tjetër për Xhevahir Sukajn. Sulmuesi, i cili magjepsi me një kryevepër në takimin ndaj Lushnjës, thuajse nuk zbriti në fushë në Durrës dhe duhet të riveshë rolin e liderit, ashtu si duhen edhe golat e Ribajt dhe siguria e Sherrit. 20-vjeçari shfaqi luhatje në “Niko Dovana”, të cilat nuk duhen të përsëriten në mënyrën më absolute.



