Vllaznia vijon kompletimin e ekipit, rikthen në Shkodër mesfushorin e talentuar
Vllaznia ka rikthyer në Shkodër një prej futbollistëve të rritur në ekipet e moshave të saj, mesfushorin e talentuar Uheid Hoxha, i cili sezonin e fundit ishte pjesë e Besës së Kavajës në Kategorinë e Parë.
Mesfushori 20-vjeçar u largua nga kavajasit pak ditë më parë, pasi shfrytëzoi një klauzolë në kontratë, sipas të cilës mund të dilte lojtar i lirë nëse klubi i Besës nuk ngjitej në Superligë, ndërsa sot zyrtarizoi rikthimin te Vllaznia.
Ka qenë vetë drejtori sportiv i shkodranëve, Matko Djarmati që ka pozuar me Hoxhën, pas firmës që ky i fundit ka hedhur mbi kontratën e re që ka firmosur me Vllazninë dhe që do ta mbajë për disa sezone të lidhur me kuqeblutë.
Ndërkohë në prezantimin e Hoxhës, klubi shkodran konfirmon se vijon puna për kompletimin e ekipit dhe se në ditët e ardhshme priten të tjera afrime në skuadrën e drejtuar nga gjermani Thomas Brdaric.



