Vllaznia zbret në fushë, rikthehet sulmuesi i huazuar. Nuk mungon as Sinani
Vllaznia iu është rikthyer përgatitjeve për sezonin e ri dhe për ndeshjet e turit të dytë në Conference League, me shkodranët që do të sfidojnë rumunët e Universitatea Craiova. Pjesë e stërvitjes së kuqebluve ka qenë edhe sulmuesi i huazuar te Kastrioti në muajin janar, Kaina Nunez.
Braziliani shfaqi një formë të shkëlqyer në radhët e krutanëve dhe ishte një faktor i rëndësishëm në objektivin mbijetesë teksa në disa sfida i dhuroi pikë jetike Kastriotit. Megjithatë, huazimi ka përfunduar dhe tashmë 25-vjeçari është rikthyer te Vllaznia ku mund të rikthehet të jetë i rëndësishëm edhe për klubin që zotëron kartonin e tij.
Kujtojmë se Kaina është pjesë e futbollit në Shqipëri prej sezonit 2020-2021 kur aktivizohej me Besën, ndërsa një sezon më parë u bë pjesë e shkodranëve. Ndërkaq, në stërvitjen e skuadrës ka qenë i pranishëm edhe legjenda e klubit, Vioresin Sinani i cili vetëm disa ditë më parë u zyrtarizua si pjesë e stafit teknik të trajnerit Mirel Josa.



