Vonesa e lëvrimit të fondeve shtyn fazën përgatitore të Vllaznisë
Vllaznia shtyn me 24 orë minifazën dimërore në Ulqin. Në klubin kuqeblu kishin parashikuar që përgatitjet intensive për gjysmën e mbetur të sezonit të nisnin këtë të premte, por pengesë janë bërë burokracitë në Bashkinë Shkodër. Edhe pse institucioni që zotëron klubin i ka miruatuar fondet për zhvendosjen e ekipit në Malin e Zi, në kërkim të kushteve më të mira, shtyrja erdhi prej periudhës kohore që kërkon lëvrimi i fondeve. Sipas burimeve zyrtare pranë klubit shkodran, nisja e ekipit drejt Ulqinit për të zhvilluar përgatitjet e mesit të sezonit do të realizohet këtë të shtunë. Afati dyjavor do t’i shërbejë trajnerit Gjoka jo vetëm për t’i dhënë ngarkesën e duhur fizike ekipit që të përballojë javët e mbetura të kampionatit, por edhe për të integruar në grup elementët e rinj që pritet të afrohen në merkaton e Janarit. Prioritet te Vllaznia është afrimi i mbrojtësve, me repartin difensiv që është etiketuar si më problematiku nga drejtuesi i stolit, ndërsa, përveç afrimit të Xhevahir Sukajt, kërkohet edhe një zëvendësues cilësor për të larguarin Edon Hasani, që do të vazhdojë karrierën te Sepahani në Iran.



