WBA-së i mjaftojnë dy sezone për t’u rikthyer në elitë, caktohen edhe çiftet e Play Off-it
Nëse një klubi si Leeds United iu nevojitën plot 16 vjet për t’u ngjitur në nivelin më të lartë të futbollit anglez, West Bromwich Albion pati nevojë thjesht për dy sezone për t’u rikthyer në Premier League. Ekzaktësisht një shekull pas titullit të parë dhe të vetëm në elitën e futbollit anglez, klubi nga West Midlands ia doli të sigurojë një vend për në edicionin e ardhshëm të Premiership-it. 100 vjet më parë në sezonin 1919-1920 “the baggies” u kurorëzuan me titullin në kampionatin e dikurshëm First Division, ndërsa sivjet “albion” ia dolën për të ruajtur gjithë epërsinë e krijuar për t’u rikthyer në këtë mënyrë shpejt në Premier League.
Championship-i konsiderohet si një ndër kampionatet më spektakolarë në planet dhe java e fundit e sezonit të rregullt si gjithmonë është e mbushur plot surpriza, megjithatë për hir të së vërtetës befasitë nuk munguan as këtë herë. Vitin e kaluar Leeds-i i Marcelo Bielsa-s shpërdoroi në mënyrë të pabesueshme një avantazh të konsiderueshëm dhe me vetëm 1 pikë të marrë në 4 sfidat e fundit të sezonit të rregullt, klubi nga Yorkshire Perëndimor u shtrëngua për të luajtur në fazën play off, ku u eliminua në mënyrë dramatike që në raundin gjysmëfinal nga Derby County i drejtuar asokohe nga Frank Lampard, që ia doli të përmbysë disavantazhin 1-0 duke fituar brenda në “Elland Road” me rezultatin 4-2.
Këtë herë radhën për të vuajtur e pati West Bromwich Albion, ekip që u gjend deri në fund nën presionin asfiksues të Brentfordit. Skuadra londineze pas rifillimit të kampionatit, pas ndërprerjes së gjatë për shkak të masave të forta të izolimit që u morën për arsye të pandemisë së koronavirusit, regjistroi plot 7 fitore radhazi duke e vënë nën presion të jashtëzakonshëm ekipin e drejtuar nga Slaven Biliç. 51-vjeçari kroat që në ishull ka luajtur si mbrojtës në radhët e West Ham-it dhe Everton-it e pa ekipin e tij të humbte gjithë epërsinë e krijuar dhe dy javë para fundit Brentfordi e ngushtoi diferencën në thjesht një pikë të vetme.
Megjithatë ndonëse nuk fitoi asnjë nga katër sfidat e fundit, për vetëm 2 pikë më shumë West Bromwich Albion fitoi të drejtën për t’u ngjitur direkt për në Premier League, duke iu bashkangjitur klubit tjetër Leeds United, ndërsa ekipi i Brentfordit do të ketë një tjetër mundësi, teksa do të vijojë aventurën e këtij sezoni në play off. Jashtë kësaj faze mbeti në mënyrë të pabesueshme Nottingham Forest, një klub historik që është në pronësi të presidentit të Olimpiakosit Evangelos Marinakis. “Të kuqtë” kishin favorin e faktorit fushë dhe javën përmbyllëse Forest kishte nevojë për thjesht një pikë në stadiumin “City Ground”, për të ruajtur pozicionin e gjashtë në tabelën e renditjes, pra vendin e fundit që mundëson pjesëmarrjen për në raundion e play off-it.
Ekipi i drejtuar nga francezi Sabri Lamouchi kishte gjithashtu edhe avantazhin e plot 5 golave në golaverazhin e përgjithshëm, krahasuar me rivalët e Swansea-t. Në mënyrë të pabesueshme “mjellmat” shënuan dy herë në gjashtë e fundit për të mposhtur 4-1 brenda në “Madejski Stadium” ekipin e Reading-ut, ndërsa në Nottingham vendasit pas barazimit 1-1 pësuan tre gola pas 73’, duke kompletuar harakirin e nisur që në fillimin e këtij muaji, sepse që nga data 4 korrik Forest nuk fitoi asnjë nga 6 ndeshjet e fundit të sezonit të rregullt, duke grumbulluar vetëm 3 pikë gjithsej.
Përfundimisht në fazën e play off-it do të marrin pjesë pra dy skuadrat londineze Brentford dhe Fulham, si dhe dy klubet nga Uellsi, Cardiff City dhe Swansea City. Çiftet janë ndarë në këtë mënyrë Swansea–Brentford dhe Cardiff–Fulham dhe do të luhen me sistem vajtje –ardhje në fundin e këtij muaji, për të nxjerrë edhe dy ekipet finalistë që do të fitojnë të drejtën për të marrë pjesë në takimin më të pasur në rruzull të këtij sporti, sepse siç dihet pas triumfit ndaj Derby-t në “Wembley” sezonin e kaluar, Aston Villa përfitoi plot 170 milionë stërlina nga çmimet, kontratat dhe bonuset e katapultimit në elitën e futbollit anglez të klubeve.



