West Ham fiton derbin, vjen humbja e parë në stadiumin e ri për Spurs!
West Ham United u bë ekipi i parë që ia del mbanë për të shënuar në stadiumin e ri të Tottenham Hotspur dhe goli i realizuar nga mesfushori Michael Antonio në treçerekun e ndeshjes mjaftoi për t’iu dhënë fitoren 1-0 “çekanëve” në derbin londinez ndaj “Spurs”. Me vëmendjen te takimi i parë gjysmëfinal me Ajaxin në Champions, duel që do të mbahet të martën në mbrëmje sërish po në të njëjtin stadium, natyrisht ekipi i Pochettino-s zbriti në fushë jo vetëm i shpërqëndruar por gjithashtu edhe pa dyshen Harry Winks-Moussa Sissoko në mesin e fushës, pa harruar edhe lojtarët që mungojnë prej kohësh si Harry Kane, Eric Lamela dhe Serge Aurier. Kjo ishte ndeshja e 6-të në harkun e vetëm 18 ditëve për “gjelat”, që në mënyrë të kuptueshme shfaqën shenja lodhjeje, sidoqoftë “Lilywhites” i patën rastet e tyre dhe shpërdoruan tre mundësi të mira shënimi në pjesën e parë me futbollistët Son, Lucas Moura dhe Eriksen në minutat 11, 26 dhe 37-të.
Përpara 60.000 spektatorëve skuadra e Manuel Pellegrini-t bëri një figurë shumë të mirë dhe pas humbjes absurde me United në Old Trafford “Hammers” i shkaktuan disfatën e parë Tottenham-it në stadiumin e ri, falë një goli të shënuar në minutën e 67-të pikërisht nga 29-vjeçari londinez Michail Antonio. Mesfushori i West Ham-it shfrytëzoi në perfeksion pasimin e shkëlqyer që i shërbeu sulmuesi Arnautovic nga krahu i djathtë, për të ndëshkuar mbrojtjen vendase, që pësoi golin e parë në këtë stadium pas plot 337 minutash, ku sigurisht përfshihen edhe katër takimet me kundërshtarë si Crystal Palace, Manchester City, Huddersfield Town dhe Brighton, ku “Spurs” i fituan ndeshjet duke ruajtur rrjetën e tyre të paprekur.



