Merkato

West Hami ofertë për Yarmoleknon, Lazio synon Borinin

  • Duke parë vështirësitë për të gjetur një marrëveshje për transferimin e Felipe Anderson nga Lazio, West Ham duket se ndryshon objektiv. Anglezët kanë hedhur sytë nga Bundesliga dhe konkretisht te futbollisti i Borussia Dortmund, Andriy Yarmolenko. “Hammers” kanë ofruar rreth 17 milionë paund për të marrë shërbimet e ukrainasit, ndërkohë që ende nuk dihet përgjigja e skuadrës gjermane. 28-vjeçari u transferua në Bundesligë një vit më parë nga Dynamo Kiev për 23 milionë paund, por asnjëherë nuk arriti të shkëlqejë në “Signal Iduna Park”.
  • Mediat italiane shkruajnë se Lazio është gati të bëjë një ofertë për futbollistin e Milanit, Fabio Borini. 27-vjeçari shënoi pesë gola për kuqezinjtë në sezonin e kaluar, ndërsa është një lojtar që ka vërtetuar se mund të luajë në disa pozicione të ndryshme në fushë. Kjo duket se është edhe arsyeja se përse italiani pëlqehet shumë nga trajneri i Lazios, Simone Inzaghi. Edhe sezonin e kaluar, kur Borini luante te Sunderland, drejtori sportiv i Lazios, Igli Tare tentoi ta sillte në Romë, por më pas 27-vjeçari u transferua te Milan.
  • Lajme të mira vijnë nga Spanja sa i përket merkatos së Napolit. Stanislav Lobotka, mesfushori sllovak i Celta Vigos, i cili prej kohësh ndiqet nga të kaltrit, është përjashtuar nga grumbullimi i skuadrës. Sipas mediave, gjithçka lidhet me largimin e mundshëm të tij nga galicianët, të cilët pretendojnë 40 milionë euro për ta lënë të lirë. Tentativat e Napolit për të arritur te sllovaku kanë gjetur këmbënguljen e spanjollëve, të cilët nuk pranojnë të negociojnë për një çmim më të ulët se 40 milionë euro. Megjithatë, një lëvizje e tillë për përjashtimin e lojtarit nga grumbullimi, duket se është një sinjal për napolitanët.
  • Një nga lojtarët që shikohet me shumë perspektivë në Angli është Jack Grealish, i cili luan për Aston Villa, në Championship. 22-vjeçari ndiqet nga disa skuadra elitare dhe zor se ai do të qëndrojë në “Villa Park” edhe një tjetër sezon. Grealish prej kohësh ndiqet nga Tottenhami, që ka ofruar 15 milionë paund për shërbimet e tij, ndërkohë që së fundmi është shfaqur edhe Liverpool. “The reds” ende nuk kanë bërë një ofertë për shërbimet e 22-vjeçarit, megjithatë pritet të zhvillojnë një “betejë” me Tottenhamin për ta transferuar në “Anfield Road”

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency