Xavi hap dyert e Barçës për Messin: Nuk ka çmim ajo që i ka dhënë këtij klubi
Lionel Messi nuk po kalon një periudhë të mirë te PSG pas eliminimit nga Champions League nga Reali i Madridit. Presidenti i La Ligas, Javier Tebas, beson se do të ishte mirë për kampionatin nëse argjentinasi do të rikthehej te Barça, sepse i kanë mbetur edhe nja dy apo tri vite futboll në nivel të lartë.
I pyetur për fjalët e Tebas në konferencën për shtyp një ditë para “El Clasicos”, Xavi nuk ngurroi t’i hapte dyert mikut të tij:
“Unë mendoj se Messi është më i miri në histori dhe në historinë e klubit. Dyert do të jenë të hapura dhe për sa kohë që unë do të jem trajner, nëse dëshiron, mund të vijë çdo ditë. Si klub i detyrohemi shumë atij. Leo ka kontratë me PSG-në dhe nuk mund të them më shumë. Nuk ka çmim ajo që Messi i ka dhënë këtij klubi.”
Mediet në Spanjë kanë shpjeguar se Messi nuk ka ndërmend të kthehet në Barça tani për tani dhe se qëllimi i tij është të përmbushë kontratën me PSG.



