Xavi pëson humbjen e parë si trajner i Barçës, fiton Sevilla
Betis Sevilla i shkakton humbjen e parë Xavit në ndeshjen e katërt në krye të stolit të Barcelonës. Skuadra andaluze triumfoi në “Camp Nou”, falë golit të shënuar nga Juanmi në minutën e 79-të, i shërbyer nga një ish-futbollist “blaugrana”, Christian Tello.
Futbollistët e Barcelonës, edhe pse dominuan në lojë, shfaqën të njëjtin problem në finalizimin e aksioneve. Gjatë pjesës së parë Coutinho humbi një mundësi të artë për t’i dhënë epërsinë skuadrës së tij (10′), ndërsa gjatë 30 minutave të fundit Dembele, që mori pikërisht vendin e brazilianit, shpërdori të tjera raste për të shënuar (61′, 76′, 76′) . Me këtë disfatë, Barca mbetet 13 pikë larg Realit kryesues, praktikisht jashtë garës për titullin në LaLiga.
Me të njëjtin rezultat 1-0 triumfoi edhe skuadra tjetër andaluziane, Sevilla, përballë Veillrrealit në “Sánchez Pizjuán”. Një ndeshje pa shumë raste, por e administruar me zgjuarsi nga vendësit, që mbeten të dytët në klasifikim me vetëm 3 pikë më pak se Reali.



