Xhafaj: Gabuam shumë, por gjyqtari e teproi me shtesën
Në mungesë të trajnerit Ardian Mema, i cili është i pezulluar, Tirana u drejtua në stol nga ndihmësi i tij, Erjon Xhafaj. Ky i fundit u ndal para kamerave të Supersport, për t’iu përgjigjur pyetjeve të të ftuarve në emisionin “Gol pas Goli”.
Çfarë ndodh me skuadrën, që nuk shënon as me penallti dhe nuk arrin të mbyllë ndeshjen?
Duhet ta kishim shfrytëzuar penalltinë, por edhe rastet e tjera, për të mbyllur ndeshjen dhe për të gjetur qetësinë, por kjo nuk ndodhi. Më pas skuadra kaloi pak në aventurë, duke u nisur edhe nga epërsia numerike, pasi po kërkonte me ngulm golin e qetësisë.
Pati edhe një shpërqendrim në mbrojtje, në rastin e golit…
Është e vërtetë që gabuam në vendosje, në minutat e fundit, abritri e tejkaloi me shtesën, por nuk dua të justifikohemi. Skuadra duhet të luante në ekuilibër, pasi në minutat e fundit, nuk kishte pse të kalonim në aventurë, por të zbrisnim më mbrapa dhe të mbyllnim hapësirat.
Sërish nervozizëm ndaj arbitrave. Mendoni se gjyqtarët po i “hanë hakun” Tiranës?
Nervozizmi erdhi nga ajo shtesë e madhe. Fillimisht u dhanë 6 minuta, që mua mu dukën shumë, ndërsa më pas arbitri tha se do të shtonte edhe dy të tjera, por golin e morëm në minutën e 99, pra pas 9 minutash shtesë. Megjithatë unë nuk dua të merrem me fjalë për komplote, por mund të them që për shkak të shtesave të shumta, erdhi pak nervozizëm.
A duhet të punonim më shumë në repartin e mbrojtjes?
Gabuam në repartin e mbrojtjes, patjetër, por nuk gabuan vetëm mbrojtësit, E gjithë skuadra do të duhej të vinte më mbrapa, për të mbrojtur portën, pasi ishim në minutat e fundit, kishim shpenzuar shumë energji dhe duhet të bënim kujdes.
A ju shqetëson kapriçoja e lojtarëve tuaj?
Patjetër. Kjo bën dallimin ndërmjet një lojtari të madh dhe një lojtari normal, pasi eksperti e di kohën kur lejohet të bëjë finte dhe kur jo. Ne gabuam për të disatën herë, duke mos u treguar cinikë, një veti që na mungon disi në këtë kampionat.



