Xhaferi i filmit, jo i simites! Njishi i klubit të Vllaznisë, një profil krejt tjetër dhe shumë më pozitiv!
“Njishi i klubit të Vllaznisë, një profil krejt tjetër dhe shumë më pozitiv se sa të tjerët në këtë sport. Xhaferi i fundit solli Kempesin po gënjeu shqiptarët, ky solli Josën dhe u tha njerëzve të vërtetën! Një shkrim nga Gjergji Stefa
Xhaferi i fundit që kishte hyrë në futbollin shqiptar solli në Lushnje Mario Kempes, ish-Kampionin e Botës në Argjentinë. Përveç tij zbarkoi dhe një brazilian me mbiemri Edu. Ky i fundit golin e parë e shënoi në Selman Stërmasi në një Tirana-Lushnja të përfunduar me rezultatin 0-1. Stadiumi plot.
Xhaferi i sotëm quhet Alban dhe nuk ka ndërmend të sjellë në Shkodër asnjë ish-Kampion Bote. Jo vetëm se nuk i ka ato para që Xhaferi asokohe ia mori shqiptarëve duke i gënjyer por sepse as logjika se do ta bësh një gjë të tillë. Prandaj ishte e kuptueshme kur tha, Mirel Josa është i duhuri. Në fund të fundit më mirë një shqiptar i sprovuar se sa një ish-Kampion Bote që i ke parë vetëm golat në Youtube.
Kjo e këtyre 2-3 viteve është Vllaznia e Xhaferit. Ai erdhi me mosbesimin e zakonshëm të një ambjenti kuqeblu që për hir të së vërtetës duke qënë se kanë 21-vite pa titull kanë njëfarë të drejte mos të besojnë.

Shkodër, aty ku lindi futbolli. Në ndeshjen e fundit me rumunët ishin më shumë se 15 mijë tifozë. E duan futbollin. Xhaferin që të gjithë fillimisht e pyesnin ku i gjen lekët, është një stil rinor. Mjekër, beretë, gjuhë e thjeshtë dhe komode. Çoku merr vesh dhe nga menaxhimi dhe ka qejf marketingun.
Fanellat e bukura, sponsorët dhe online tickets. Stadiumin e ka të mirë, skuadrën e ndërton me kujdes. Ka dhe shkodranë brenda. Nuk duhet të jetë pa gjë. Dy Kupa Shqipërie, një titull i humbur me golavarazh dhe një Superkupë që pritet të luhet me Tiranën.

Në Europë sezonin e shkuar kaloi turin, këtë vit morri një barazim ndaj milionerëve rumunë. Xhaferi i sotëm, ky i Vllaznisë është ai i fotografisë që duhet ruajtur, jo ai i simites së Lushnjes që në fund i bëri njerëzit të hanin vetëm simite. Vllaznia e Xhaferit është një foto digitale njësoj si kompania që ai drejton. Suksese, njerëz të tillë paçim në këtë futbollin tonë të brishtë dhe pa shumë logjikë.




