Conference League

Xhaferri: AEL-i i fortë, por synojmë të kalojmë në turin tjetër

Vllaznia ka mbërritur në Qipro, ku do të përballet me AEL-in e Limasolit, kundërshtar i turit të dytë eliminator në Conference League. Sponsori i shkodranëve, Alban Xhaferri foli për faqen e klubit, ku vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, por theksoi se te kuqeblutë mbizotëron optimizmi se mund të kalojnë një tjetër tur.

Si po përjetohet në kampin shkodran atmosfera para përballjes së parë me AEL Limasolin?
Kemi pasur një udhëtim të mirë, ndonëse në orët e vona të natës, megjithatë skuadra ka pasur mundësi të çlodhet dhe sot do të kemi seancën e fundit stërvitore. Ekipi është përgatitur mirë dhe grupi është i plotë, përveç Da Silvës. Mendoj se do të jetë një ndeshje që nuk duhet nënvlerësuar, pasi kemi përballë një kundërshtar të fortë, me një buxhet shumë më të madh se ne, por ne ecim me idenë që të mund të arrijmë një rezultat pozitiv që këtu, për ta pasur më të lehtë punën në Shkodër.

Duket se mes skuadrës dhe drejtuesve ka një optimizëm për kalimin edhe të këtij turi…
Ne jemi vazhdimisht optimistë, por tani nuk kemi të bëjmë më me një skuadër si Siroki Brijeg. Kundërshtari ynë ka një buxhet tre herë më të madh se Vllaznia, por edhe një eksperiencë të madhe në këto eliminatore. Megjithatë mendoj se është bërë përgatitja e duhur për këtë ndeshje, ndaj mendojmë pozitivisht dhe besojmë se do të arrijmë një rezultat të mirë nesër.

Ndryshimi i orarit duket se është mirëpritur edhe nga Vllaznia…
Kjo besoj është më mirë, pasi në orarin e parë do ta kishim shumë të vështirë, me një klimë të nxehtë e të lagësht. Megjithatë për të dy skuadrat kushtet janë të njëjtat dhe ata do të kenë edhe mbështetjen e tifozëve në masën 75% të kapacitetit.

A është një favor për Vllazninë, që AEL-i shihet si skuadra me më shumë mundësi për të kaluar turin?
Kjo mund të jetë një pikë që na heq disi presionin, por nuk duhet të na pengojë e të na bëjë të ndihemi inferiorë, pasi duam rezultat këtu.

A jeni i kënaqur edhe me një barazim?
Sigurisht që edhe barazimi është një rezultat i mirë, pasi në fushën tonë kemi treguar se jemi të fortë dhe kthejmë edhe rezultate. Barazimi do të ishte i mirë, por edhe një humbje minimale nuk na demotivon, pasi do të mund të luajmë shanset në Shkodër.

Me skuadrën kanë udhëtuar edhe një grup tifozësh, që do të mbështetin ekipin…
Dua t’i falënderoj ata tifozë që kanë bërë shumë sakrificë për të qenë këtu, pasi edhe nga UEFA nuk lejohet lëvizja e fansave në transferta. Jemi munduar t’i ndihmojmë sa më shumë që të jenë në stadium dhe të mbështesin ekipin.

Duke menduar për turin e tretë, do të preferonit Azerbajxhanin apo Izraelin?
Sigurisht që jemi të gjithë të emocionuar e të entuziazmuar, pasi do të ishte fantastike po të arrinim fazën e tretë. Do të ishte historike, pasi Vllaznia nuk e ka kaluar asnjëherë fazën e dytë. Do të ishte gjithashtu motivuese edhe në aspektin financiar, për të ardhmen e klubit.

A mund të bëni një parashikim për ndeshjen e nesërme?
Unë nuk jam i mirë me parashikimet, megjithatë çdo rezultat nesër nuk duhet të na bëjë pesimistë, pasi do të luajmë gjithçka në ndeshjen e kthimit, ku kemi treguar se jemi të fortë e mund të bëjmë përmbysje të mëdha.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency