Xhaferri: Vllaznia kampionia e vërtetë, Brdariç qëndron me ne
Vllaznia rikthehet të luftojë për titullin kampion deri në sekondën e fundit dhe gjithashtu fiton të drejtën të garojë në Europë pas shumë vitesh mungesë, ndërsa njeriu i suksesit te kuqeblutë është padyshim edhe sponsori Alban Xhaferri.
Në përfundim të ndeshjes me Laçin, sponsori i kuqebluve tha se Vllaznia është kampionia morale e këtij sezoni dhe konfirmoi se Brdaric dhe bërthama e ekipit do të vijojnë punën në Shkodër edhe sezonin e ardhshëm.
Duhet të jeni i kënaqur për atë që ka bërë Vllaznia këtë sezon…
Absolutisht, pasi ky ishte një kampionat i jashtëzakonshëm dhe na ka emocionuar jashtë mase. Vllaznia ka ardhur deri këtu me meritat e saj dhe ka luftuar fort. Sot ishim duke ëndërruar, sepse edhe ne ishim koshientë që ishte pak e vështirë që Vllaznia të dilte kampion. Unë i përgëzova çunat se ata janë kampionët e vërtet të këtij kampionati, kampionë moralë, në lojë dhe të gjitha aspektet. Sot është ditë për të festuar për Shkodrën, kemi Kupën dhe Kupat e Europës, duhet të shikojmë përpara. Vllaznia e madhe po vjen. Pengu më i madh janë tifozët. Falënderoj strukturat që na lejuan sot të hapnim stadiumin.
A mendoni se ndaj Teutës pati tolerim sot?
Kemi bërë një kampionat të jashtëzakonshme. Ëndrra sikur të dilte, do të qe e jashtëzakonshme, por të ecim përpara. Nuk e di a ishin ndeshjet të drejta, unë po flas për këtë këtu. Nëse nuk ishte e drejtë, mund të shënonim edhe me tepër. E çuditshme si 2 lojtarët e Apolonisë dolën me karton të kuq, por duhet ta shikoj edhe njëherë, megjithatë mendoj që këtu ishte një ndeshje e bukur. Vllaznia ka luajtur drejt dhe do të luajmë gjithmonë drejt. Fitimi i Kupës është i mundshëm, pa dashur të nënvlerësojmë Skënderbeun.
Si do të jetë e ardhmja e Vllaznisë? A konfirmohet Brdariç?
Brdariç ka bërë një punë shumë të mirë në drejtim të Vllaznisë dhe ne duam që të vazhdojmë sërish bashkë edhe sezonin e ardhshëm. Jam i bindur që do ta gjejmë gjuhën e përbashkët. Sa i përket përforcimeve, jemi në bisedime me shumë lojtarë, por në momentin e duhur do të vijnë edhe emrat konkretë. Unë mendoj se këtë sezon kemi hedhur bazat për rikthimin e Vllaznisë në elitën e futbollit shqiptar dhe do të provojmë të forcohemi edhe më shumë, për të synuar titullin kampion.



