Ylli Aga: Mos-aktivizimi i Bajramit më duket i tepërt, ndoshta mund të sakrifikonim një mbrojtës
Shqipëria nuk shkoi dot përtej barazimit 1-1 në ndeshjen e parë të Ligës së Kombeve ndaj Islandës në transfertë, teksa edhe këtë herë nuk munguan kritikat për trajnerin Edi Reja dhe kryesisht për skemën e zëvendësimet.
Një ndër ta ishte edhe Ylli Aga, që në emisionin “Kuqezi” deklaroi se ndoshta italiani u druhej më shumë se duhet islandezëve, teksa shfaqi rezerva edhe për mos-aktivizimin e Nedim Bajramin për asnjë minutë.
“Nuk mendoj se është shkak skeme, por kur shikoja që në pjesën e dytë po vuanim, ndoshta edhe mund ta sakrifikonim një mbrojtës, për të shtuar forcat përpara. Të luash me tre mbrojtës në qendër, kur kundërshtari ka vetëm një sulmues që luan në ligën e tretë spanjolle, më duket luks i tepruar. Kemi vështirësi edhe në krahun e majtë, pasi Hysaj nuk është i lirshëm atje, ashtu si Balliu që “fluturon” në të djathtë. Zhgënjimi tjetër për mua, lidhet me mos-aktivizimin e Nedim Bajramit. Është një nga lojtarët në qendër të merkatos në Itali dhe të gjithë e shihnin si titullar sot, por të mos e aktivizosh asnjë minutë, më duket e tepërt”, deklaroi Aga.



