Ylli spanjoll i Udinese: Nuk jam ende në lartësinë e Di Natales, por jam në rrugën e duhur
Udinese është një nga realitetet më interesantë në këtë fillim të sezonit jo vetëm në Serie A, por në të gjithë kampionatet elitarë të Europës. Skuadra nga Friuli është duke zhvilluar një futboll tërheqës nën drejtimin e Adrian Sottil teksa mban vendin e tretë në Serie A ndërsa një nga liderët e ekipit është Gerard Delofeu.
Ish-sulmuesi i Milanit dhe i rritur në akademinë e Barcelonës duket se është në momentin më të mirë të karrierës dhe në tetë ndeshjet e zhvilluara deri më tani, ka regjistruar plot shtatë asiste. Megjithatë, Delofeu qëndron me “këmbë në tokë” dhe së fundmi thekson se ende nuk është në lartësinë e një legjende të klubit si Antonio Di Natale.
“Nuk jam ende në nivelin e Di Natales, megjithatë më bëhet qejfi për krahasimin. Di Natale dhe Zico janë lojtarë të mëdhenj, është një nga objektivat e mi të bëj mirë si ata. Unë jam i ndërgjegjshëm që i kam të gjitha letrat në rregull për t’u bërë një nga lojtarët më të mirë të Udinese. Është një rrugë e vështirë, megjithatë duhet të jemi të bashkuar si skuadër për të arritur rezultate”, tha Delofeu.



