Zanetti hap “plagë” të vjetra: Calciopoli? Dihet pse nuk e fituam titullin me Ronaldon!
Calciopoli është një nga tragjeditë më të mëdha në futbollin italian me skandalin e vitit 2006 që përfshiu edhe klubet më me traditë në Serie A si Juventus, Milan, Lazio apo edhe Fiorentina. Akuza për fiksim të rezultatit me përfshirjen e drejtuesve si Luciano Moggi e Antonio Giraudo, dërguan Juventusin për herë të parë në historinë e klubit në Serie B, ndërsa bardhezinjve iu hoqën edhe dy titujt e 2004-2005 dhe 2005-2006.
Por, sot kur kanë kaluar vite, ai që rikthen “plagët” e vjetra të futbollit italian, është zëvendëspresidenti i Inter, Javier Zanetti i cili thekson se pas Calciopolit të gjithë e dinë arsyen pse zikaltërit nuk e fituan titullin në vitin 1998, kur në skuadrën e zikaltërve ishte edhe Fenomeni, Ronaldo.
“A kam ndonjë pishman që nuk e kam fituar titullin me Ronaldon? Nuk kam asnjë pishman pasi disa vite më vonë e kuptuam pse nuk e fituam dot. E dimë të gjithë se çfarë ndodhi”, shprehet Zanetti. Kujtojmë se në ndeshjen direkte të sezonit 1997-1998 mes Interit dhe Juventusit, krijoi polemika të mëdha një kontakt në zonë mes Iulianos dhe Ronaldos, në dukje 11-metërsh i pastër, por që arbitri Ceçarini vijoi lojën duke shkaktuar zemërim të madh tek zikaltërit që më pas humbën ndeshjen.



