Zbret në fushë edhe Teuta, fytyra të reja nën urdhrat e Edi Martinit
Ka nisur përgatitjet për sezonin e ri edhe klubi i Teutës, me futbollistët që kanë lënë pas festat e ndërrimit të viteve dhe janë rreshtuar para trajnerit Martini, teksa vlen të theksohet se ka pasur edhe ndryshime në organikë.
Kështu, siç pati raportuar SuperSport gjatë muajit dhjetor, vëllezërit Selmani, Adolf dhe Santiago nuk do të jenë më pjesë e bregdetarëve, teksa të dy i janë bashkuar skuadrës së Kastriotit për pjesën e mbetur të sezonit.
Ndërkohë në Durrës është rikthyer sulmuesi shkodran Rubin Hebaj, i cili një vit më parë u transferua te Shkëndija, por tashmë ka mbyllur bashkëpunimin me klubin nga Tetova dhe është vënë sërish nën urdhrat e Edi Martinit.
Sondazh/ Sa besoni te agjencitë imobiliare?

Krahas Hebajt, Teutës pritet t’i bashkohet edhe qendërmbrojtësi Jurgen Goxha, i cili ka mbyllur aventurën 18-mujore në Azerbajxhan dhe është rikthyer sërish në elitën e futbollit shqiptar, ku më herët ka veshur fanellat e Tiranës dhe Bylisit.
Mbrojtësi 29-vjeçar durrsak pritet të veshë për herë të parë fanellën e klubit të Teutës dhe me largimin e Selmanit, pritet të ketë një rol mjaft të rëndësishëm në udhëheqjen e repartit të prapavijës.
Për të përforcuar mbrojtjen është afruar edhe dibrani Reild Kurti, i cili deri në fund të vitit të kaluar ishte pjesë e Korabit në Kategorinë e Parë. Mbrojtësi 19-vjeçar shihet si një element me mjaft perspektivë dhe është vënë në dispozicion të Edi Martinit, për t’u përgatitur për debutimin në elitën e futbollit shqiptar.
Ndonëse kampione në fuqi, Teuta ka zhgënjyer në 15 javët e para, pasi ka arritur të grumbullojë vetëm 18 pikë, 15 më pak se Tirana kryesuese dhe për momentin pozicionohet në vendin e 6, larg zonës europiane.
Quiz Cat: No Quiz found



