Zbulohen rivalët e gjermanit Klopp për çmimin “Trajneri i Vitit”
Del në dritë lista e kandidaturave për 10 trajnerët më të mirë të sezonit 2018-19, megjithatë në mënyrë të kuptueshme natyrisht favoriti kryesor mbetet 52-vjecari gjerman Jurgen Klopp. Në listën e gjatë me 10 emra, përsa i përket çmimit “The Best FIFA Football Awards”, për trajnerin më të mirë të sezonit të kaluar, figurojnë plot tre trajnerë argjentinas.
Lista me 10 kandidaturat u shpall ditën e mërkurë, ndërsa lista e shkurtuar me tre emra do të mësohet më datë 23 shtator, në Milano ku edhe do të përcaktohet gjithashtu edhe trajneri më i mirë i sezonit 2018-19. Gjysma e tyre vjen nga skuadrat përfaqësuese, ndërsa pesë emrat e tjerë u përkasin klubeve, gjithsesi bie në sy prania e tre trajnerëve nga Argjentina: Gallardo, Gareca dhe Pochettino.
Emri më i rëndësishëm kuptohet është ai i trajnerit Jurgen Klopp, që me Liverpoolin triumfoi në Champions League, ndërkaq Marcelo Gallardo ia doli mbanë për të siguruar trofeun e dytë në karrierë në Kupën Libertadores, si trajner i River Plate, për më tepër duke mposhtur në “Superclasico”-n e Madridit rivalët e përjetshëm të Boca Juniors-it.
Lista vijon me trajnerin Ricardo Gareca, që çoi Përfaqësuesen e Perusë në finalen e Kupës së Amerikës së Jugut, Pep Guardiola-n që udhëhoqi Manchester City-n në kompletimin e tre trofeve në ishull, Premier League, FA Cup e Kupën e Ligës, si dhe me trajnerin tjetër të Premiershipit Mauricio Pochettino, që dërgoi një klub si Tottenham Hotspur për herë të parë në një finale të Champions League-s.
Nuk mund të mungonte sigurisht edhe emri i veteranit Fernando Santos, që pas evropianit të vitit 2016 fitoi me Portugalinë gjithashtu edhe Ligën e kombeve. Lista vazhdon me trajnerin Erik Ten Haag që coi Ajaxin e Amsterdamit në gjysmëfinalen e “kupës me veshë të mëdhenj”, pa harruar edhe kampionatin si dhe kupën që fitoi me “Harkëtarët” në Holandë, ndërkaq ndjek në radhë gjithashtu edhe Djamel Belmadi që riktheu Algjerinë te suksesi në Kupën e Kombeve të Afrikës, pas afërsisht tre dekadave.
Bën përshtypje dhe nuk justifikohet aspak prania e trajnerit të përfaqësueses franceze Didier Deschamps, ndërsa listën paraprake të 10 kandidaturave e mbyll emri i Tites, 58-vjeçarit brazilian që udhëhoqi përfaqësuesen verdhjeshile për të fituar në shtëpi një kompeticion si Copa America.




