Ze Maria, “i tërbuar”: Tërheqja, mentalitet i vjetër, ishin 2 kartonë të kuq
Trajneri i Tiranës, Ze Maria, më shumë se kurrë priste fitoren e skuadrës së tij ndaj kampionëve në fuqi të Superiores. Ishte bërë gati të festonte, por tërheqja e skuadrës, kur mund ta kishte mbyllur ndeshje, ia mohoi këtë kënaqësi.
A e konsideroni barazimin rezultat të mirë ashtu si rrodhën ngjarjet?
Jo. As para dhe as pas ndeshjes. Nuk jam kurrë për barazim në natyrën time. Sot kishim frikë për ta fituar ndeshjen.
Çfarë nuk bëri mirë Tirana për ta mbyllur ndeshjen?
Filozofia ime është të sulmojmë dhe të luajmë përpara. Por ekipi u tërhoq. Më duhet të bisedoj me futbollistët për këtë gjë.
Nëse nuk arrini të mbroni rezultatin, si mund të fitoni në derbi?
Derbi është ndeshja më e lehtë për t’u luajtur, sepse lojtarët të gjithë duan të luajnë. Do të flas me ta, për të kuptuar pse duhej të tërhiqeshin. Do marr edhe vendimet e mia për këtë.
Ishte zgjedhje taktike që të luanit me topa të gjatë?
Nuk mund të pranoj të luajmë me topa të gjatë. Në pjesën e parë, shënuam një gol dhe më pas krijuam dy apo tre raste të tjera për të shënuar. Nuk ka të bëjë me taktikën, por patëm frikë të provonim sërish. Nuk e kuptova pse ndodhi kështu. Më duhet të bisedoj me ta.
Jeni i bindur tani për formacionin më të mirë të Tiranës?
I kam provuar të gjithë futbollistët dhe jam i gatshëm që edhe ndeshjen tjetër të kem të njëjtin formacion në fushë. Pjesa tjetër e skuadrës duhet të presë.
Thatë se do të flisit me skuadrën, por a e keni një ide psë u tërhoq?
Mentaliteti i vjetër, i referohem kohës para se të merrja Tiranën. E shikoja portierin Lika që luante me topa të gjatë, flas për periudhën para se të vija unë.
Ju dëmtoi arbitri sot me vendimet e tij?
Rasti i topit me dorë, apo edhe ndalimi i lojtarit tonë në zonë ishte një karton i kuq. Në çdo kampionat ku kam luajtur këto janë raste të pastra. Nuk mund të flas më për arbitrin, pasi ndeshja tashmë ka përfunduar.



