Zëvendësuesi i Strakoshës te Lazio: Mamaja ime ka qenë fqinje e ish-portierit të njohur
Lazio ia ka dalë të kompletojë më në fund portën, teksa pas largimit të Thomas Strakoshës dhe Pepe Reinës, me klubin bardhekaltër kanë firmosur spanjolli Maximiano i ardhur nga Granada dhe Ivan Provedel, i ardhur nga Spezia.
Ky i fundit ka kryer vetëm dy seanca stërvitore dhe pasditen e sotme ka dalë në konferencën për shtyp të prezantimit, i shoqëruar nga Igli Tare, teksa ka zbuluar një prapaskenë mjaft interesante në lidhje me origjinën e tij.
“Mamaja ime është nga Moska dhe ka qenë fqinje e Lev Yashin,ish portierit të famshëm tashmë. Mua më ka pëlqyer gjithmonë të luaj në portë, ndonëse kur isha i vogël luaja si sulmues. Tani jam te Lazio dhe jam shumë i lumtur, ndaj falënderoj drejtorin Tare dhe trajnerin Sarri, që më sollën këtu. Nuk mendoj për konkurrencën, por vetëm të punoj shumë dhe t’i lë trajnerit të marrë vendimet e tij”, u shpreh portieri.
Ndërkohë, Tare pranoi se negociatat për firmën me Provedel janë më të gjatat në historinë e drejtimit të klubit nga Claudio Lotito, megjithatë tha se është i kënaqur që më në fund porta është e kompletuar.



