Zgjidhje me kosto të ulët për mbrojtjen, edhe Interi kthen sytë nga “i izoluari” i Lazios
Francesco Acerbi vijon të stërvitet me Lazion, por nuk është aktivizuar në asnjë nga testet miqësore, pasi raportet e tij me klubin lacial janë thyer tashmë dhe pritet vetëm që palët të ndajnë rrugët.
Italiani 34-vjeçar është në pritje të ofertave, teksa deri tani Milani ka shfaqur interes konkret, por Paolo Maldini e sheh si opsion “low cost” për të cilin mund të provojë vetëm në momentet e fundit.
Nga kjo situatë ka përfituar Interi, që pas miratimit të Simone Inzaghit, është vënë në lëvizje për mbrojtësin italian, që pritet të marrë vendin e lënë bosh nga Andrea Ranocchia, pas largimit drejt Monzës.
Dështimi për të firmosur me Gleison Bremer, ka bërë që zikaltrit të kthejnë sytë nga qendërmbrojtësi i Lazios, që ka bërë shumë mirë nën urdhrat e Inzaghit dhe për më tepër, ka një kosto të ulët.
Lazio kërkon rreth 5 milionë euro për kartonin e një 34-vjeçari që nuk e ka në plan, megjithatë marrëveshja mund të arrihet edhe për një shifër më të ulët, pasi bardhekaltrit nuk kanë ndërmend të mbajnë në ekip një futbollist që urrehet nga tifozët.



