Zhang beson te Interi: Duam suksesin edhe ndaj Barçës
Vetëm para pak ditësh, Steven Zhang, djali 26-vjeçari i pronarit të Interit, Zhang Jindong, u zgjodh president i klubit, duke u bërë edhe më i riu në histori, që mban këtë post.
Menjëherë më pas, Spalletti dhe djemtë që ai stërvit, i uruan detyrën presidentit të ri, me dy fitore mjaft të bukura, 0-3 në “Olimpico” ndaj Lazios dhe 5-0 në “San Siro”, ndaj Genoas.
Nesër në mbrëmje, zikaltrit do të presin në Milano skuadrën e Barcelonës, në një sfidë mjaft të rëndësishme për grupet e Ligës së Kampionëve, ndërsa vetë 26-vjeçari pranon se është gati të marrë një tjetër “dhuratë”, nga futbollistët e Interit.
“Skuadra po stërvitet mjaft mirë dhe në mënyrë intensive. Të gjithë janë të bashkuar dhe të impenjuar maksimalisht për të bërë mirë sa herë që trajneri i thërret në apel. Kam shumë besim se edhe ndaj Barcelonës do të luajmë me autoritet, për të treguar se e meritojmë pjesëmarrjen në Champions. Pres një tjetër sukses edhe në sfidën e nesërme”, deklaroi Zhang.
Shkallët e “San Siros” do të jenë të tejmbushura për sfidën e nesërme, ndërsa mediat italiane kanë paralajmëruar se zikaltrit mund të vendosin një rekord arkëtimesh për një ndeshje futbolli në Itali, por konfirmimi pritet të vijë vetëm disa orë para ndeshjes, pasi të jenë shitur edhe ato pak bileta në dispozicion.



