“Zhgënjim i madh”, Rangnick: Pjesa e parë super, humbëm dy pikë kot
Manchester United e mbylli në barazim 1-1 transfertën kundër Burnley në kampionat. “Djajtë e Kuq” nuk ia dolën të ruanin avantazhin e siguruar në pjesën e parë falë golit të Paul Pogba, dhe tani renditen në vend të pestë me një pikë më pak se West Ham, por me një ndeshje më shumë.
Trajneri Ralf Rangnick vlerësoi paraqitjen e djemve të tij në prononcimin për BBC Sport. Pjesa e parë ishte e shkëlqyer sipas teknikut gjerman, i cili theksoi se fati ndikoi që United të mos rikthehej në shtëpi me pikë të plota.
“Shënuam tre gola (dy të anuluar), kjo është diferenca krahasuar me humbjen e së enjtes në FA Cup”, nisi fjalën e tij Rangnick, duke iu referuar eliminimit befasues nga Middlesbrough në raundin e 1/16-ve.
Më pas analiza taktike në lidhje me barazimin e gjashtë në Premier League. “Luajtëm një pjesë të parë të shkëlqyer, duke kontrolluar dhe dominuar ndeshjen. Në pjesën e dytë nuk ishim agresivë.
Duhet të bënim më mirë në këtë aspekt, pasi Burnley do të hidhej në sulm në kërkim të barazimit. Një natë zhgënjyese për ne, pasi duhet ta kishim fituar pa probleme këtë ndeshje.
Dërguam tre herë topin në rrjetë, kështu që nuk mund ta kritikoj skuadrën sa i përket instiktit të golit. Në fund ishte edhe pak çështje fati. Një pikë nuk mjafton për ndeshjen që zhvilluam”, deklaroi Rangick.
Quiz/ Sa mirë e njihni Ligue 1?



