Featured

Zhgënjimet e këtij sezoni/ Laçi, Kukësi dhe Teuta larg pritshmërive

Laçi, Teuta dhe Kukësi janë tre ekipet që në vitet e fundit i kemi parë gjithnjë në nivele të larta në Abissnet Superiore, duke qenë pretendentë për vendet e para në renditje, apo konkurrues dhe në Kupën e Shqipërisë, megjithatë ky edicion ka nisur në mënyrë shumë negative, teksa të treja ndodhen në vendet e fundit të rendtijes.

Laçi është skuadër që mbyll klasifikimin teksa ndaj Kukësit mori humbjen e pestë radhazi dhe duke përjashtuar fitoren e javës së parë ka zhgënjyer ndeshje pas ndeshje si në rezultat dhe në lojë. Kurbinasit, të cilët zotërojnë statuset si nënkampion dhe finalist të Kupës së Shqipërisë nuk po arrijnë që të kthehen në “shinat e duhura”, ndërsa do të provojnë ndaj Tiranës që të arrijnë një fitore që do u vlente më shumë se tre pikë, mbi të gjitha në aspektin moral.

Teuta është ekipi i vetëm që këtë edicion ende nuk e ka provuar shijën e fitores, duke marrë vetëm 4 barazime e 2 humbje. Skuadra e Bledi Shkëmbit nuk po gjen dot ekuilibrat, duke mos patur atë agresivitet që kemi parë edicionin e shkuar, e duke zhgënjyer. Nryshimet e shumta duket se duan ende kohë, teksa ekipi ka marrë një tjetër fytyrë nga edicioni i kaluar.

Kukësi më në fund arriti që të marrë fitoren e parë për këtë edicion, teksa mundi minimalisht Laçin. Trajneri Enkeleid Dobi shijoi suksesin e parë, por e regjistroi ndaj ekipit që sot është në vendin e fundit e mbetet për t’u parë nëse verilindorët do të kenë stabilitet, teksa në tre javët e ardhshme do të luajnë me Bylisin, Erzenin dhe Egnatian.

Në 10 vitet e fundit, asnjëherë më pare nuk i kishim parë Teutën, Laçin dhe Kukësin që të ishin në pozita të tilla, ku po afron fundi i fazës së parë, edhe pse deri në fund ka shumë javë dhe vështirë se do të “lundrojnë” dhe për shumë gjatë në të tilla ujëra.

 

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency