Zidane dëshira e madhe për pasuesin e Solskjaer, United kërkon ndihmë nga CR7
Ole Gunnar Solskjaer i ka orët e numëruara në stolin e Manchester United. Trajneri norvegjez nuk po ia del të menaxhojë dhe t’i marrë maksimumin grupit të lojtarëve, teksa pritshmëritë e drejtuesve dhe tifozëve janë të mëdha.
Dëshira e madhe për postin e trajnerit quhet Zinedine Zidane, i cili qendron pushim prej 30 qershorit, datë kur u largua nga Real Madrid. Drejtuesit e “Djajve të Kuq” po kërkojnë ndihmën e Cristiano Ronaldos për të bindur teknikun francez të transferohet në “Old Trafford”.
CR7 ka një raport fantastik me Zidane, nën drejtimin e të cilit fitoi 3 Champions League te Real Madrid. Ylli portugez po tenton t’i mbushë mendjen ish-trajnerit të tij të pranojë ofertën e klubit anglez.
Opsion që nuk e tundon edhe aq shumë Zizou, i cili preferon marrjen e drejtimit të Francës pas Botërorit Katar 2022 ose rikthimin te Juventusi.
Erik ten Hag është një tjetër emër që pëlqehet nga drejtuesit e United, teksa për momentin, opsioni më real për zëvendësimin e Solskjaer në pankinë është Brendan Rodgers.



