Zidane luan stolin në Stamboll, Mourinho dhe Allegri, të pëlqyerit e Perez
Humbja me Mallorcan në La Liga, çka solli dhe parakalimin nga Barcelona, la shije të hidhur te drejtuesit e Real Madridit, me trajnerin Zinedine Zidane që luan vendin e tij të punës në ndeshjen kundër Galatasaray-t në Stamboll. Me vetëm një pikë në dy ndeshje, transferta turke mund të përcaktojë fatin e trajnerit francez. Në rast të një tjetër humbjeje, Florentino Perez do të ishte gati për të telefonuar Jose Mourinhos ose Massimiliano Allegrin.
Në klubin mbretëror nuk mund të lejojnë një tjetër hap të gabuar, aq me tepër në kompeticionin të cilin “Los Blancos” e kanë fituar plot 13 herë.
Ndaj Mallorcas, rezultati negativ erdhi edhe për shkak të mungesave të shumta për arsye fizike, por në Stamboll nuk lejohet dështimi, pasi Florentino Perezit i ka sosur durimi.
Mourinho ka profilin e trajnerit që pëlqen më shumë numri 1 i klubit “merengues”, sepse e njeh ambientin, por në garë është edhe Allegri, i cili pëlqehet edhe në “Old Trafford”. T’i thuash dy herë jo Realit, është praktikisht e pamundur.



