Zidane nuk e fsheh admirimin: Kane, një futbollist i kompletuar
Në konferencën e zakonshme për shtyp, në prag të përballjes me Tottenham për Champions, Zinedine Zidane nuk i ka shpëtuar pyetjeve për sulmuesin anglez Harry Kane, një nga objektivat e Realit për merkaton. Trajneri i madrilenëve shprehu admirim për sulmuesin e Tottenhamit, të cilin do të ketë mundësi ta shohë më mirë nesër në mbrëmje, ndrësa nuk e fshehu që do të donte ta kishte në ekip.
“Është një sulmues i kompletuar, që lëviz mirë në të gjitha hapësirat e sulmit dhe shënon nga çdo pozicion. E admiroj dhe do të doja ta kisha në ekip, por një sulmues si ai, çdo trajner do ta donte”, tha Zidane.
Mediat angleze raportojnë në kuadër të takimit të nesërm, drejtuesit e dy klubeve do të diskutojnë edhe për mundësinë e transferimit të Kane në Madrid. Reali dhe Tottenhami kanë marrëdhënie mjaft të mira, sepse në vitet e fundit ‘Galaktikët’ kanë transferuar në Madrid dy yjet e klubit anglez, Modriç dhe Gareth Bale.



