Zidane për të birin: Luca ka personalitet, besoj tek Benzema
Zinedine Zidane i befasoi të gjithë me formacionin titullar ndaj Huescas, teksa zgjedhja e tij e parë në portë ishte djali i tij, Luca Zidane. Në konferencën për shtyp pas takimin, francezi tha se i biri kishte personalitet dhe e justifikoi besimin.
“Jam i kënaqur me debutimin e tij në “Bernabeu”, por mbetet Luca, portieri i tretë i Realit. Thibaut ishte i dëmtuar dhe vendosa ta lija pushim Keylor Navasin pas impenjimit me përfaqësuesen. Shkoi mirë. Luca luan prej 16 vitesh në skuadrat zinxhir të Realit dhe ka personalitet.”
Më pas Zidane analizoi ndeshjen, të cilën e konsideroi disi të çmendur. Ai shtoi se skuadra e tij duhet të luajë më mirë, ndërsa i dha merita kundërshtarit, duke u shprehur se ndoshta meritonte me shumë, por diferencën e bëri në fund goli i Benzemasë.
“Benzema është një lojtar që luan prej 10 vitesh te Reali. Ndoshta ky është sezoni më i mirë për të. Jemi të kënaqur dhe dua t’i besoj atij. Do të luajmë edhe 9 takime, të shohim se çfarë do të ndodhë.”



