Zidane shpërthen me kritika, Gareth Bale në shënjestër
Zinedine Zidane shpërtheu me deklaratat e tij pas sfidës në Vallecas, ku Reali i Madrid u mund 1-0 nga Rayo Vallecano. Trajneri francez la shumë material për gazetarët në konferencën pas sfidës, ku më pikantja, pa dyshim, ishte fraza: “Do ta mbroj gjithmonë skuadrën time, por pas kësaj ndeshjeje JO, nuk e meritojnë”, si për t’u bërë me dije jo vetëm lojtarëve, por edhe drejtuesve të klubit, që kjo skuadër duhet ndryshuar rrënjësisht, në emra dhe mentalitet.
“Nuk ka impenjim, nuk ka lojë, nuk ka reagim, nuk ka dëshirë, madje nuk ka as vullnet për të ndryshuar situatën”, – shtoi Zizou, i cili nuk la pa kritikuar dhe Gareth Bale. Për uellsianin ngriti pikëpyetjet nëse është i përqendruar mjaftueshëm te Reali i Madridit.
Asgjë nuk shkoi mirë për “Los Blancos”, ku në përfundim të ndeshjes pikërisht Gareth Bale nuk udhëtoi me autobusin e skuadrës, por preferoi që me një automjet privat t’i drejtohej aeroportit “Barajas” të Madridit, ku fluturoi drejt Uellsit. Me Zidane nuk bëhen shaka, pasi madhështia e francezit e mbi të gjithë respekti që gëzon, duke nisur nga tifozët e deri te numri 1 i klubit, Florentino Perez, e bëjnë atë autoritar.
Është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që dikush të shpëtojë nëse është përfshirë në listën e largimeve të përgatitur nga trajneri, që e ka të qartë se çfarë duhet të bëjë Reali në merkaton e verës.



