Zverev hakmerret ndaj Medvedevit, triumfon ne ATP Finals
Gjermani Aleksander Zverev mposhti Daniil Medvedevin 2-0 me sete, 6-4, 6-4 në Itali, duke u kurorëzuar për herë të dytë në karrierë në turneun e tetë tenistëve më të mirë të sezonit (ATP Finals). Një fitore plotësisht e merituar për Saschan, që brenda 22 orëve mposhti dy tenistët që kryesojnë renditjen botërore, serbin Djokovic dhe tenistin rus.
Një finale pa shumë histori, pavarësisht rezultatit që mund të duket disi i ngushtë. 24-vjeçari me origjinë ruse e sulmoi që në fillim rivalin e tij kampion në fuqi të turneut, duke e thyer në shërbim që në game-n e tretë, më pas administroi epërsinë e krijuar. Edhe në setin pasardhës tenisti i lindur në Hamburg e theu në geme-n hapës, duke mbyllur shumë shpejt llogaritë.
Kurioz është fakti që Sascha i kishte humbur pesë përballjet e fundit ndaj 25-vjeçarit moskovit, ku përfshihet edhe disfata në fazën e grupeve, vetëm pak ditë më parë, por këtë radhë ruajti qetësinë, duke fituar sfidën më të rëndësishme të vitit (barazoi bilancin në 6 me 6) dhe duke u kurorëzuar me titullin e gjashtë sezonal, ku spikat medalja e artë në Olimpiadën e Tokyos.



