Zyrtare, Avdyli firmos për 3 vite me Prishtinën!
Vetëm pak javë pasi mbylli zyrtarisht aventurën me Teutën, Florent Avdyli ka gjetur skuadër të re. Mesfushori është rikthyer te klubi ku hodhi hapat e tij të parë si futbollist duke firmosur një kontratë 3-vjeçare me Prishtinën. 28-vjeçari është prezantuar nga kampionët e Kosovës, duke thënë edhe fjalët e tij të para si lojtar i Prishtinës dhe duke u shfaqur shumë i lumtur për këtë aventurë të re në karrierën e tij.
“Mirë se vjen Florent. Avdyli rikthehet nga Shqipëria në futbollin tonë, gjithashtu edhe tek Prishtina, pas përvojës së mëhershme dy vjeçare si junior i skuadrës tonë. Njëri prej mesfushorëve më të vlerësuar të Kategorisë Superiore, ka nënshkruar me klubin e futbollit Prishtina për tre vitet e ardhshme“, lexohet në komunikatën zyrtare të bardhekaltërve.
Avdyli foli pas firmosjes së kontratës, duke u shprehur i lumtur për rikthimin në shtëpi. “Të veshësh fanellën e Prishtinës, është privilegj, por edhe përgjegjësi e madhe. Të luash nën logon e skuadrës e cila është më e trofeshmja në histori të futbollit kosovar, është një ëndërr e realizuar. Duke u rritur në rrugët e këtij qyteti, jam rritur me Plisat dhe me dashurinë e qytetarëve të këtij vendi për futbollin dhe sportin në përgjithësi. Dashuria për këtë qytet, klubin e tifozët, më bënë të mos e mendoj dy herë zgjedhjen që ta vazhdojë karrierën tek Prishtina, kampionia në fuqi e Superligës së Kosovës. Rruga përpara do të jetë sfiduese, por me angazhim, vullnet e duke qenë të bashkuar, mund të bëjmë gjëra të mëdha. Kjo me synimin, që t’i vazhdojmë sukseset aty ku i lanë në edicionin e kaluar“, deklaroi lojtari në lidhje me aventurën e re.



