Zyrtare, Cikalleshi huazohet për 1 vit te Goztepe
Tashmë nuk ka më asnjë dyshim. Lajmi i publikuar nga mediat turke pasditen e djeshme është zyrtarizuar sot. Sokol Cikalleshi do të vazhdojë të jetë pjesë e elitës së futbollit turk edhe në sezonin e ri, pasi është prezantuar si afrimi më i ri i skuadrës së Goztepe. Te ekipi që sezonin e kaluar u rendit në vendin e 6-të të kampionatit edhe pse vinte nga kategoria e 2-të, sulmuesi i kombëtares shqiptare është transferuar në formë huazimi për 1 sezon. Osmanlispor klubi që zotëron kartonin e bomberit kavajas dhe që sezonin e fundit nuk arriti të siguronte mbijetesën në Superligën turke, nuk dëshironte ta shiste Cikalleshin dhe vendosi ta huazonte në elitë në mënyrë që kuqeziut të mos t’i binte vlera në merkato. Te Goztepe Cikalleshi pritet të ketë shumë hapësira në formacion me shpresën se do të lerë shenjë.



