Zyrtare/ Gentian Selmani largohet nga Laçi, kalon në kampionatin turk
Pas 4 sezonesh në Kategorinë Superiore, me fanellën e Laçit, portieri Gentian Selmani ka nisur një aventurë jashtë Shqipërisë, duke nënshkruar me klubin e kategorisë së dytë turke, Menemenspor.
Lajmi është dhënë nga vetë klubi turk në rrjetet sociale, ku është shfaqur edhe ish kapiteni i Laçit duke nënshkruar kontratën dhe duke pozuar me bluzën e skaudrës së tij të re tashmë.
Gentian Selmani ka nënshkruar për dy sezone me skuadrën nga Izmiri, që këtë verë po investon fuqishëm, për t’u rikthyer mes më të mirëve të futbollit turk, ndërsa ende nuk dihen detaje të tjera të transferimit.
Gardiani 21-vjeçar, përtej moshës, ka fituar një eksperiencë mjaft të madhe me Laçin, pasi ka mbrojtur kuadratin e kurbinasve për plot 118 ndeshje, ndërsa sezonin e fundit mbajti edhe shiritin e kapitenit.
Selmani është pjesë edhe e Shqipërisë U 21, me të cilën ka luajtur 9 takime, ndërsa është grumbulluar për stërvitje edhe me kombëtaren e madhe kuqezi.



