Zyrtare/ Kukësi prezanton dy afrimet e reja para nisjes për në Antalya (Foto)
Ashtu siç e kishte paralajmëruar që gjatë muajit Dhjetor të vitit të kaluar, presidenti i Kukësit, Safet Gjici ka prezantuar afrimin e dy futbollistëve më të rinj te skuadra verilindore.
Bëhet fjalë për dy futbollistë që vijnë nga Luftëtari i Gjirokastrës, sulmuesi Vasil Shkurtaj dhe fantazisti Eduart Rroca, të cilët sot kanë nënshkruar kontratën e tyre me Kukësin.
Të dy futbollistët kanë qenë protagonistë te skuadra gjirokastrite dhe tashmë janë gati të japin kontributin e tyre te Kukësi, për të rikthyer skuadrën verilindore te titulli kampion.
Me firmën e sotme mbi kontratë, merr fund edhe telenovela Shkurtaj, pasi sulmuesi vlonjat kishte pasur oferta edhe nga skuadra si Teuta e Partizani.
Të dy futbollistët do të udhëtojnë me skuadrën në Antalya, aty ku Kukësi do të kryejë fazën përgatitore të dimrit dhe do të luajë edhe dy ndeshje miqësore, përballë Basaksehirit dhe Rostovit.






