Zyrtare/ Lila “lë thatë” Kukësin, nënshkruan me një tjetër skuadër
Të gjithë prisnin që të prezantohej te Kukësi, por Andi Lila ka ndërruar mendje në momentet e fundit dhe ka vendosur të rrijë në kryeqytet, duke iu bashkuar skuadrës së Tiranës.
Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare ishte pa skuadër që prej fundit të sezonit, kur Pas Janina ra në kategorinë e dytë në Greqi dhe pretendentët për shërbimet e tij ishin të shumtë.
Fundjavën që lamë pas u fol shumë për një akord mes kavajasit dhe Kukësit, ndërsa mediat nxituan të publikojnë edhe datën e zyrtarizimit, por pasditja e sotme ishte një befasi për të gjithë.
Ka qenë vetë Andi Lila që ka publikuar një foto ku shtrëngonte duart me presidentin e skuadrës bardheblu Refik Halilin, teksa shkruante se rikthehet sërish në shtëpi.
Andi Lila ka qenë pjesë e Tiranës edhe në sezonet 2008-2011, ndërsa tashmë në moshën 33-vjeçare kthehet me një eksperiencë të madhe mbi supe dhe shndërrohet në një vlerë të shtuar për bardheblutë, që synojnë titullin këtë sezon.



