Zyrtare, Lucas Hernandez transferohet te Bayerni për një shifër rekord!
Fjalët e presidentit Uli Hoeness se Bayerni do të hapë thesin në merkaton e kësaj vere kanë kaluar te veprat tashmë. Pas Benjamin Pavard i cili u ble nga Shtutgarti për 35 milionë euro, bavarezët kanë zyrtarizuar edhe afrimin e mbrojtësit të krahut të majtë të kombëtares franceze Lucas Hernandez, për kartonin e të cilit kanë derdhur në arkat e Atletico Madrid shifrën rekord të 80 milionë eurove. Hernandez i cili mund të aktivizohet edhe në qëndër të mbrojtjes ka firmosur për 5 vite me Bayernin dhe do të transferohet në Mynih në fund të këtij sezoni. 23-vjeçari francez me këtë transferim të tijin ka thyer disa rekorde pasi përveç se është bërë blerja më e shtrenjtë në historinë e Bayernit dhe të Bundesligës, ka parakaluar edhe holandezit e Liverpoolit Virgil Van Dijk i cili u ble për 78,8 milionë euro në listën e mbrojtësve më të shtrenjtë të blerë ndonjëherë(referuar faqes së specializuar transfermarkt). Me Pavard dhe Hernandez krahët e mbrojtjes së Bayernit do të flasin fërngjisht me trajnerin Kovac që do të ketë dy kampion bote në skuadër.
“Jam shumë i lumtur që arritëm marrëveshjen me Lucas Hernandez, një nga mbrojtësit më të mirë në botë,” është shprehur drejtori sportiv Hasan Salihamidzic.
“Lucas mund të luajë në krahun e majtë, por edhe në qendër të mbrojtjes. Bayern shquhet për traditën e lojtarëve francezë në skuadër dhe ai është një përforcim i madh për ne,” vijon drejtori sportiv.
Edhe kampioni i botës po e pret me padurim aventurën e re: “Është një ditë e rëndësishme për karrierën time. Bayern Munich është një nga klubet më të mirë në Europë. Jam krenar që do të luftojë për titullin me fanellën bavareze.Dua të falënderoj klubin e Atletico-s, duke filluar nga drejtuesit, stafi teknik, shokët e ekipit dhe tifozët për këto pesë vite të mrekullueshëm. Atletico do të mbetet një pjesë e imja.”Gjatë vizitës mjekësore është dalluar një dëmtim në gju i lojtarit dhe si pasojë ai do të operohet ditën e mërkurë në Madrid.



