Zyrtare/ Milani shpërblen Piolin me kontratë të re
Stefano Pioli te Milani të paktën deri në vitin 2023, me opsionin për ta zgjatur marrëveshjen edhe për një sezon tjetër. Palët kishin arritur një marrëveshje javët e fundit dhe këtë mëngjes erdhi edhe zyrtarizimi. Trajneri kuqezi nënshkroi kontratën e re në prani të të gjithë drejtuesve të Milanit. Pioli do të marrë 3.5 milionë euro në sezon, që me bonuset mund të shkojnë deri në 4 milionë.
Kanë kaluar më pak se dy vjet nga humbja turpëruese me pesë gola të pësuar në Bergamo. Pioli, në atë kohë, ishte thuajse i larguar, me hijen e Ragnick që e përndiqte kudo.
Tashmë skuadra kuqezi është rikthyer në Champions League dhe konkurron në nivele të larta në Serinë A, ku sezonin e kaluar mori edhe kryesimin në një moment.
Rritje në lojë, ndërgjegjësim për vlerat e skuadrës dhe rezultate pozitive, që e bindën Milanin për ta shpërblyer Piolin me kontratë të re, duke i ofruar pothuajse dyfishin e pagës.



