Zyrtare, pas thuajse dy dekadash, Isli Hidi kthehet në Ballsh
Tashmë është zyrtare, Isli Hidi sezonin e ardhshëm do të luajë me skuadrën e Bylisit, e sapongjitur në Kategorinë Superiore.
38-vjeçari vetëm pak ditë më parë u “divorcua” me Teuta, që largoi thuajse të gjithë veteranët pas eliminimit nga Ventspils në Europa League, por për një portier me kaq shumë përvojë nuk ishte e vështirë për të gjetur një ekip të ri, po në elitën e futbollit shqiptar.
Për Isli Hidin, në fakt, bëhet fjalë për një rikthim në ekipin ballshiot, pasi ka qenë pjesë e Bylisit thuajse dy dekada më parë, në sezonin 2001-2002, në formë huazimi nga Tirana.
Në periudhën e parë me Bylisin Hidi luajti në 24 ndeshje të kampionatit, për t’u transferuar më pas te Kryvbasi në Ukrainë. Me afrimin e Bicajt e së fundmi të Hidit, presidenti Besnik Kapllanaj i ka shtuar përvojën ekipit të tij, që si objektiv kryesor ka qëndrimin mes më të mirave të futbollit shqiptar.



