Zyrtare/ Rinovim i rëndësishëm, City “blindon” të preferuarin e Guardiolës
Rinovim i rëndësishëm te Manchester City përpara transfertës së vështirë ndaj Liverpoolit në “Anfield” (e diel, 16:30). Kampionët e Anglisë kanë “blinduar” Phil Foden deri në vitin 2027.
22-vjeçari anglez ka zgjatur me 3 vite të tjera bashkëpunimin me “Cityzens” (kontrata aktuale i përfundonte në vitin 2024). “Xholi” i ekipit të Pep Guardiolës, është një prodhim i Manchester City, teksa prej vitit 2017 është pjesë e ekipit të parë.

Akordi i rinovimit ishte arritur që në muajin shtator, Foden do të përfitojë 250 mijë paund nga kontrata e re, teksa sot ka ardhur edhe zyrtarizimi i marrëveshjes mes drejtuesve të Manchester City dhe agjentit të futbollistit.
Foden numëron 7 gola dhe 3 asiste deri në këtë fazë të sezonit, duke qenë golashënuesi i dytë më i mirë i skuadrës në kampionatin anglez pas norvegjezit Erling Haaland.
https://twitter.com/i/status/1580966716900786177
“Është e vështirë të përshkruhet me fjalë se sa i lumtur jam që kam nënshkruar këtë kontratë, është një ëndërr e realizuar. Kam qenë tifoz i City gjatë gjithë jetës sime. E dua shumë këtë klub, kështu që të di se do të jem pjesë e tij deri në vitin 2027 është e mahnitshme.
Guardiola? Jam përmirësuar shumë vitet e fundit dhe shumë nga kjo varet nga Pep dhe stafi i tij, të cilët më udhëheqin çdo ditë në fushën e stërvitjes. Puna me ta më jep mundësinë më të mirë për t’u përmirësuar edhe më shumë dhe për t’u bërë lojtari më i mirë që mund të jem.
Me skuadrën që kemi këtu, ndiej se mund të vazhdoj të mësoj dhe të fitoj trofe. Këto janë dy gjërat më të rëndësishme për mua“, deklaroi Foden pas firmosjes së kontratës së re.



