Zyrtare/ Shtohet kolonia amerikane në Itali, blejnë edhe ish-klubin e Bogdanit
Një tjetër klub futbolli italian ka kaluar në pronësi amerikane. Cesena po kalon vite të vështira pas falimentimit (2018) dhe aktualisht garon në Grupin B të Serie C, aty ku mban vendin e tretë dhe po lufton për t’u rikthyer në divizionin e dytë të futbollit italian.
Bardhezinjtë, pjesë e të cilëve ka qenë edhe sulmuesi Erion Bogdani në periudhën korrik 2010-janar 2012, janë blerë nga dyshja Robert Lewis dhe John Aiello, avokati dhe menaxheri i fondit privat “JRL Group”.

Marrëveshja zyrtare u arrit ditën sotme, teksa Corriere dello Sport raporton se pronarët e rinj kanë blerë 60% të aksioneve të klubit për shumën e 1.8 milionë eurove.
Lewis do të jetë CEO i klubit dhe do të ndajë postin e presidentit të klubit bashkë me Aiello. Cesena bëhet klubi i 11-të italian që ka amerikanë në krye pas Milanit, Romës, Fiorentinës, Genoas, Spezias, Venezias, Parmës, Ascolit, Spal dhe Campobassos.



