Zyrtare/ Steven Gerrard braktis Rangers, merr drejtimin e klubit të Premier League
Steven Gerrard rikthehet në Premier League. Ish-kapiteni legjendar i Liverpool është trajneri i ri i Aston Villa.
41-vjeçari drejtonte Rangers prej verës së vitit 2018 dhe ia doli të rikthente ekipin skocez te titulli kampion.
Ofertën e klubit nga Birmingemi nuk mund ta refuzonte, teksa drejtuesit e dy klubeve gjetën marrëveshjen mes tyre në lidhje me rikthimin e Gerrard në elitën e futbollit anglez, këtë radhë si trajner.
Zyrtarizimi ka ardhur nga një postim i Aston Villa në Twitter, me ish-mesfushorin që nuk e fshehu entuziazmin e tij në lidhje me nisjen e kësaj aventure.
“Aston Villa është një klub me histori dhe tradita, unë jam jashtëzakonisht krenar që do të jem trajneri i kësaj skuadre.
Nga bisedimet e kryera unë kuptova se sa ambiciozë janë pronarët dhe mezi pres të jap kontributin tim në realizimin e objektivave.
Dua të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për të gjithë njerëzit që lidhen me Rangers, të cilët më dhanë mundësinë të drejtoja një klub të tillë.
Ndihma që dhashë në fitimin e titullit të 55-të në histori do të mbetet gjithmonë në zemrën time si një moment i veçantë”, deklaroi Gerrard.
Aston Villa renditet në vend të 16-të në Premier League, me 10 pikë të grumbulluara në 11 javë kampionat, teksa Gerrard do të debutojë në takimin shtëpiak me Brighton (20 nëntor).




