Zyrtare/ Teuta godet në merkato, rikthen në Superiore ish fantazistin e Kombëtares
Jahmir Hyka rikthehet në Superiore. Fantazisti 33-vjeçar që ka veshur edhe fanellën e Kombëtares Shqiptare, ka vendosur t’i bashkohet Teutës dhe do të jetë nën urdhrat e Renato Arapit deri në fund te sezonit.
Marrëveshja mes palëve është arritur dhe paraditen e sotme ka ardhur edhe zyrtarizimi, me Hykën që vjen te bregdetarët si futbollist I lirë, pasi prej muajit gusht ishte pa ekip.
Vlen të theksohet se 33-vjeçari ka rreth 15 muaj pa luajtur, për shkak të një dëmtimi, teksa së fundi ka qenë pjesë e kinezëve të Guizhou, klub që militonte në ligën e parë.
Fantazisti kryeqytetas rikthehet në Superiore pas 11 vitesh, pasi për herë të fundit ka veshur fanellën e Tiranës në periudhën janar-qershor 2011, ndërsa tani do të përfaqësojë bregdetarët kampionë në fuqi.
Jahmir Hyka ka një karrierë të pasur si futbollist, pasi u rrit në klubin e Dinamos dhe më pas ka luajtur për klube si Lucerna, Panionios, Maccani Netanya, San Jose Earthquakes, etj., teksa numëron edhe 47 ndeshje me fanellën e Kombëtares Shqiptare.
Me Hykën që pritet të marrë vendin e Kallakut pas sulmuesve, Teuta kompleton organikën, teksa tani i takon trajnerit Renato Arapi të nxjerrë në pah një tjetër fytyrë të kampionëve në fuqi, natyrisht më të bukur se ajo që kemi parë në gjysmën e parë të sezonit aktual.
Quiz: Gjeni lojtarët në foto…
Testoni njohuritë tuaja mbi lojtarët e Premier League...



