Zyrtare, Xavi trajneri i ri i Barçës, firmos deri në 2024-ën!
Barcelona zgjedh orët e vona të natës për të zyrtarizuar rikthimin e Xavi Hernandez te blaugranat pas më shumë se 6 vitesh këtë herë në rolin e trajnerit. Klubi katalanas ka zyrtarizuar atë që ishte në ajër prej kohësh, pikërisht rikthimin ish-mesfushorit legjendar te Barcelona në postin e trajnerit për të zëvendësuar të shkarkuarin Ronald Koeman. Xavi i cili vjen pas eksperiencës te Al Sadd si futbollist dhe trajner i parë, ka firmosur deri në vitin 2024 me blaugranat.
Ndeshjen e sotme ndaj Celta Vigos, Xavi do ta ndjekë nga tribunat e stadiumit Balaidos ndërsa do të debutojë me Barcelonën në derbin ndaj Espanyolit në 20 nëntor. Barcelona e ka zyrtarizuar Xavi-n me një video nga lamtumira e tij në 2015-ën dhe me fjalët e para pas rikthimit të 41-vjeçarit në sfond.
“Nuk ishte një lamtumirë, por një mirupafshim. Camp Nou ka qenë gjithmonë shtëpia ime, tifozët janë forca ime, njerëzit e mi, ndërsa Barça është klubi që më shumë dua. Tashmë kthehem në shtëpi, shihemi së shpejti fansa të dashur, Forca Barça”, janë këto fjalët e Xavi që pret me padurim të nisë këtë eksperiencë të re me Barcelonën.
Es momento de volver a casa.
Bienvenido, Xavi. pic.twitter.com/AzoZd0iKL7— FC Barcelona (@FCBarcelona_es) November 6, 2021



