Kategoria Superiore

Cungu: Fitoren na e mohoi Hoxha, ja pse ndryshova skemën

Intervista e trajnerit të Kukësit, Armando Cungu, dhënë për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, pasi verilindorët morën një barazim pa gola përballë Partizanit në kryeqytet.

Pas tre fitoresh ndaleni, edhe pse përballë një rivali direkt. Keni keqardhje për rezultatin, pas kësaj ndeshjeje?
Dëshira dhe objektivi ynë ishte që të fitonim, por futbolli i tillë është dhe në fund të fundit po luanim përballë skuadrës kryesuese dhe e dinim që nuk do të ishte e lehtë. Gjithsesi mendoj se luajtëm mirë dhe mund të kishim fituar, por Alban Hoxha ishte në superformë sot dhe na mohoi golin në 2-3 raste.

Vijoni të krijoni, por mungon finalizimi…
Ky aspekt, pra finalizimi na ka penalizuar edhe në ndeshjet e tjera, jo vetëm sot. Kemi gjetur soliditetin në aspektin mbrojtës dhe po zbresim rrezikshëm, por në sulm mungon qetësia dhe u pa qartë që edhe sot shpërdoruam 2-3 mundësi.

Keni gjetur stabilitet në mbrojtje, pasi nuk pësoni prej 4 ndeshjesh, por duket se anësorët dalin pak me vonesë në sulm…
Nuk mendoj se kjo është problem, pasi në tranzicionin e shpejtë, ne kemi mjaftueshëm lojtarë për të rrezikuar kundërshtarin. Edhe sot i krijuam mundësitë, por gabuam finalizim. Pra skuadra luan dhe krijon, shkon te porta e kundërshtarit, ndaj nuk duket problem numrash.

Sa rrezikuat kur vendosët të kalonit te skema me 3 mbrojtës?
Në fakt e kam provuar këtë skemë në ndeshjen ndaj Qarabagut në Shkodër dhe kam parë që skuadra lëvizte mjaft mirë, si një fizarmonikë ndaj e prisja rastin për të kaluar te kjo skemë. Duke parë mundësitë dhe mungesat, kërkova më shumë siguri dhe u riktheva te kjo skemë. Deri në këto momente ekipi po shprehet mirë dhe kjo është e rëndësishme.

Të Fundit

EVENTET NË SUPERSPORT

To Top
Evolve Web Agency Evolve Web Agency